Shaip Kamberi drejt Uashingtonit: Lugina e Preshevës në fokusin institucional të SHBA-së

03.02.2026

Deputeti Shaip Kamberi ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është nisur nga Stambolli drejt Uashingtonit, në një moment që ai e cilëson vendimtar për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo vizitë vjen pas miratimit të rezolutës H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, e sponsorizuar nga Kongresisti amerikan Keith Self (R-Texas), e cila e ka futur Luginën zyrtarisht në agjendën institucionale të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kamberit, gjatë qëndrimit në Uashington janë paraparë angazhime të drejtpërdrejta me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin Amerikan, në takime ku do të formësohet qasja amerikane ndaj çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai thekson se mesazhi është i qartë: diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve nuk është më një çështje periferike, por një problem i të drejtave të njeriut dhe i demokracisë.

Në postimin e tij, Kamberi shpreh falënderime të veçanta për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye Joe DioGuardi, organizatën Albanians for America, Gino Mulliqin, shqiptarët e Teksasit, Këshillin Kombëtar Shqiptar, si dhe për Qeverinë e Kosovës, për mbështetjen dhe angazhimin e përbashkët në këtë proces avokimi ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.