FSK shënon avancim në ranglistën botërore, Kosova ngjitet në vendin e 138-të për fuqi ushtarake

29.01.2026

Forca e Sigurisë së Kosovës po shënon përparim të vazhdueshëm në aspektin e kapaciteteve mbrojtëse, si rezultat i fazës së tretë dhe përfundimtare të transformimit të saj në ushtri të mirëfilltë, proces i cili ka nisur në vitin 2025 dhe pritet të përfundojë në vitin 2028.

Sipas platformës ndërkombëtare të specializuar për vlerësimin e fuqisë ushtarake, Global Firepower, Kosova këtë vit është renditur në vendin e 138-të nga gjithsej 145 shtete, duke u ngritur për tri pozita krahasuar me vitin e kaluar.

Ky përmirësim lidhet me rritjen graduale të kapaciteteve të FSK-së, përfshirë pajisjen me dronë luftarakë turq Bayraktar, mjete ajrore pa pilot amerikane Puma, si dhe planet për furnizim me helikopterë amerikanë Black Hawk.

Megjithatë, sipas metodologjisë së Global Firepower, Kosova ende nuk llogaritet si fuqi ajrore ushtarake, pasi vlerësimi përfshin vetëm aeroplanë dhe helikopterë me pilot.Të dhënat e publikuara tregojnë se Kosova ka potencial për mobilizimin e mbi 17,500 personave, ndërsa numri i ushtarëve aktivë të armatosur arrin rreth 9,500, përfshirë edhe 4,000 rezervistë.

FSK-ja posedon gjithsej 1,357 automjete të blinduara, nga të cilat 745 konsiderohen operative dhe të gatshme për përdorim të menjëhershëm në terren. Sa i përket furnizimit me karburant, për nevojat e mbrojtjes shpenzohen rreth 16 mijë fuçi nafte, që përkthehen në mbi 2.5 milionë litra.

Në rajon, Serbia vazhdon të renditet si forca ushtarake më e fuqishme, duke zënë vendin e 63-të në botë. Ajo disponon mbi 22,500 ushtarë aktivë, rreth 2,000 rezervistë, si dhe kapacitet për mobilizimin e rreth 600 mijë personave.

Fuqia ajrore serbe përfshin 115 mjete ajrore luftarake, ndërsa arsenali tokësor ka 242 tanke dhe mbi 7,000 mjete të blinduara. Buxheti i saj për mbrojtje kalon shifrën e 2.7 miliardë dollarëve.

Ndërkohë, Shqipëria është ngritur për një pozitë, duke u renditur e 77-ta, me një buxhet mbi 700 milionë euro, rreth 8,000 ushtarë aktivë, 1,500 mjete të blinduara, 33 mjete ujore patrulluese dhe 20 mjete ajrore, kryesisht helikopterë.

Kroacia mban vendin e 73-të, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet e 114-ta.Në krye të renditjes globale vazhdon të qëndrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një buxhet mbrojtjeje mbi 831 miliardë euro, duke dominuar në tokë, ajër, det dhe teknologji.

Pas SHBA-së renditen Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Franca, Japonia, Britania e Madhe, Turqia, ndërsa Italia mbyll dhjetëshen e parë.