Kurti: Manipuluesit e votës nuk do të kenë amnisti, hetimet duhet të shkojnë deri në fund

24.01.2026

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulime votash brenda subjekteve politike, duke theksuar se askush i përfshirë në veprime të tilla nuk do të ketë amnisti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka inkurajuar institucionet përgjegjëse që hetimet të zhvillohen deri në fund, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor.

Ai ka theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë gardiane e vullnetit politik të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.Sipas Kurtit, Republika e Kosovës vazhdon të jetë shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve të rregullta zgjedhore, ndërsa adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për çdo dyshim manipulimi është i domosdoshëm për besueshmërinë e sistemit demokratik.

“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen dhe këto raste nuk duhet të përsëriten më kurrë në të ardhmen”, ka deklaruar Kurti.