Bislimi: Është arritur pajtim me Serbinë për komisionin për personat e zhdukur

22.01.2026

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për vënien në funksion të komisionit të përbashkët, i cili do të merret me zbatimin e marrëveshjes që lidhet me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Pas rundit të fundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, bëri të ditur se në javët e ardhshme pritet që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të zhvillojnë takime për të përcaktuar prioritetet fillestare të punës së komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

Dakordimi u arrit pas disa orësh diskutimesh të ndara që ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, pati me Bislimin dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq. Më pas, në orët e mbrëmjes, u mbajt edhe një takim i përbashkët ku marrëveshja u finalizua zyrtarisht.

Ky rund dialogu erdhi pas vizitave që Sorensen zhvilloi javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd. Çështja e personave të zhdukur ishte trajtuar edhe më herët, kur në vitin 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë temë.

Zbatimi i plotë i kësaj deklarate u konfirmua në një takim trepalësh të kryenegociatorëve në dhjetor të vitit 2024 në Bruksel. Takimi i parë i komisionit ishte planifikuar për janar, por nuk u mbajt pasi pala serbe refuzoi pjesëmarrjen, duke e arsyetuar këtë me mbylljen e zyrave të mbështetura nga Serbia në Kosovë.

Takimi i mbajtur sot ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen u shpreh optimist se viti 2026 mund të sjellë përparim më të madh sesa viti paraprak, duke theksuar se prioriteti i tij është t’i ulë palët në tryezën e bisedimeve.

Ai theksoi se do të angazhohet për organizimin e takimeve të nivelit të lartë mes dy vendeve, të cilat nuk janë zhvilluar që nga viti 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve të shkaktuara nga sulmi i armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit, i cili mori përgjegjësinë për ngjarjen, por ende ndodhet i lirë në Serbi. Nga ana tjetër, Beogradi ka përsëritur se përparimi në dialog varet nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Megjithëse Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, zbatimi i saj ende nuk ka nisur, përfshirë edhe pikën që parasheh krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./REL/