Rashiq: Jam gati ta votoj Osmanin, por dua takim më parë
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Neda Rashiq, njëherësh kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka deklaruar se nuk është kundër mbështetjes së Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente, në rast se ajo propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, Rashiq ka theksuar se para marrjes së një vendimi përfundimtar, do të dëshironte të zhvillonte një takim me Osmanin, pasi ka disa kërkesa që lidhen me çështjet e komunitetit serb.
“Nëse znj. Osmani propozohet nga LVV-ja, kjo padyshim ka një peshë të veçantë dhe në parim ne jemi të gatshëm ta mbështesim, ashtu siç kemi vepruar edhe në rastin e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Por, insistoj që paraprakisht të kemi një takim me znj. Osmanin, pas të cilit do të merrnim vendimin final.
Ka disa shqetësime të komunitetit serb dhe do të kërkoja disa ndryshime të vogla në mënyrën e komunikimit të saj me komunitetet. Janë çështje teknike dhe, nëse adresohen, nuk shoh pengesë për votimin e saj”, ka deklaruar Rashiq.
Ai ka shtuar se do të ishte gabim që vendi të shkojë në zgjedhje vetëm për shkak të çështjes së presidentit.Sa i përket formimit të qeverisë, Rashiq ka bërë të ditur se ende nuk kanë zhvilluar bisedime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për ndarjen e posteve, por ka theksuar se takime të tilla pritet të zhvillohen pas përfundimit të procesit të rinumërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Rashiq ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Tëvë1
