Rikthimi në operim i njësive B2 dhe A3 parashihet gjatë mbrëmjes

20.01.2026

Dy njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës, B2 dhe A3, pritet të rikthehen në operim gjatë orëve të mbrëmjes, ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo këtë njoftim e ka dhënë pas takimit të zhvilluar mbrëmë me menaxhmentin e KEK-ut. Aktualisht, në operim janë tri njësi – B1, A4 dhe A5 – ndërsa ekipet teknike po punojnë pa ndërprerje, në tri ndërrime, 24 orë në ditë, për të mundësuar rikthimin sa më të shpejtë të njësive B2 dhe A3.

Rizvanolli ka theksuar se gjatë periudhës së dimrit, kur kërkesa për energji elektrike është e lartë, pritet që KEK-u të funksionojë me pesë blloqe. Sipas saj, megjithëse ky është një proces sfidues, Termocentrali “Kosova A” ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë radhazi, nga 19 dhjetori deri më tani.

Ajo ka shtuar se në 25 vitet e fundit, KEK-u ka punuar me pesë njësi gjithsej vetëm 55 ditë, duke shprehur mirënjohje për punëtorët dhe menaxhmentin e KEK-ut për angazhimin e tyre, të cilët i ka cilësuar si shtyllë të sistemit elektroenergjetik të vendit.

Ministrja ka kërkuar përgjegjësi dhe përkushtim maksimal për vënien dhe mbajtjen në operim të të gjitha njësive gjatë muajve të ftohtë.Ndërkohë, të hënën ajo ka publikuar një video nga terreni, ku shihen punëtorët e KEK-ut në proces pune, duke u bërë thirrje qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike.