KEK dorëzon padi kundër Janina Ymerit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj znj. Janina Imeri, e cila tashmë ndodhet në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë. Sipas njoftimit zyrtar, ky veprim është ndërmarrë në kuadër të masave ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional të Korporatës.
KEK sh.a. thekson se, në ushtrim të kompetencave të saj ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë raportimin e rasteve në rrjete sociale dhe institucionet përkatëse, me qëllim të ndalimit të përhapjes së informatave të rrejshme dhe propagandës, edhe në rastet kur ato vijnë nga zyrtarë publikë.
Në njoftim thuhet se çdo përpjekje për të denigruar punonjësit apo përfaqësuesit e KEK-ut, si dhe atribuimi i përgjegjësive që nuk i përkasin Korporatës, konsiderohet e papranueshme dhe do të ndiqet ligjërisht deri në fund.
Po ashtu, KEK sh.a. ka bërë të ditur se nuk ekziston asnjë pengesë për qasjen në informacione zyrtare, duke theksuar se të gjitha të dhënat janë publike, transparente dhe të qasshme përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës.
Sipas KEK-ut, këto të dhëna janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme edhe me të dhënat publike të KOSTT-it.Në fund, Korporata Energjetike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj ndaj transparencës, informimit të saktë të publikut dhe mbrojtjes së integritetit institucional.
