Osmani: FSK, krenaria jonë, mburoja e atdheut, fuqia që garanton lirinë

16.01.2026

Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar lart Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si krenari kombëtare, mburojë të shtetit dhe garanci të lirisë. Në një video të publikuar së fundmi, ajo thekson se FSK-ja është e fortë, profesionale, e besueshme për aleatët dhe e pathyeshme, duke dëshmuar gatishmëri të plotë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Osmani nënvizoi se FSK po avancon me hapa të sigurt drejt shndërrimit në një forcë moderne, të pajisur dhe të trajnuar sipas standardeve më të larta, falë edhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.

Ajo vlerësoi kontributin e aleatëve të Kosovës në ndërtimin dhe fuqizimin e kësaj force.Presidentja veçoi gjithashtu arritjen e gruas së parë që ka fituar gradën Gjeneral Majore në FSK, duke theksuar se rritja e pjesëmarrjes së grave në institucionet e sigurisë rrit sigurinë për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.

Në fjalën e saj, Osmani foli edhe për rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s në çlirimin dhe sigurimin e lirisë së Kosovës, duke theksuar se në momentet më të vështira, Amerika qëndroi pranë popullit të Kosovës dhe e ktheu frikën në shpresë dhe pushtimin në liri.

Ajo përfundoi duke ritheksuar se, pavarësisht sfidave, Kosova nuk do të heqë dorë nga rruga e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke nënvizuar se NATO mbetet destinacioni dhe fati strategjik i vendit.