BE nis heqjen e masave ndaj Kosovës, pritet zhbllokimi i mbi 400 milionë eurove

15.01.2026

Bashkimi Evropian ka filluar procesin e heqjes graduale të masave kufizuese ndaj Kosovës, me fokus të veçantë në eliminimin e atyre financiare gjatë javëve në vijim. Kjo pritet të mundësojë lirimin e një shume që tejkalon 400 milionë euro.

Lajmin e ka bërë të ditur në Parlamentin Evropian drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Gert Koopman, i cili theksoi se BE-ja tashmë ka hyrë në një fazë kyçe të zbutjes së masave.

Sipas tij, aktualisht po zhvillohen konsultime intensive me autoritetet përkatëse, ndërsa Komisioni Evropian synon ta përfundojë vendimin deri në fund të këtij muaji, me kusht që të merret miratimi nga Komiteti i Shteteve Anëtare.

Koopman shpjegoi se pas përfundimit të procedurave të programimit dhe nënshkrimit të kontratave, do të krijohen kushtet për heqjen e plotë të masave financiare, në përputhje me njoftimet e mëhershme të presidentes së Komisionit Evropian.

Këto deklarata u bënë gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në përgjigje të një pyetjeje të raportuesit për Kosovën, Riho Terras.Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Koopman theksoi se Kosova do të mund të përfitojë pagesat e para të parafinancimit vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe ratifikimit të marrëveshjes përkatëse.

Ai shtoi se programi i reformave është i përgatitur dhe pjesërisht në zbatim, por ratifikimi institucional mbetet thelbësor për vazhdimin e pagesave.Duke folur për situatën politike në vend, Koopman rikujtoi se Kosova ka qenë pa një qeveri plotësisht funksionale për rreth një vit dhe shprehu shpresën që pas zgjedhjeve të dhjetorit të formohet shpejt ekzekutivi i ri.

Sipas tij, kjo do të mundësojë finalizimin e dokumenteve të nevojshme për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave të taksapaguesve evropianë.