PZAP ka refuzuar edhe ankesën e Jakup Nurës, duke mos e aprovuar kërkesën për rinumërimin e votave në komunën e Skenderajt
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit të PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, duke e cilësuar atë si të parashtruar jashtë afatit ligjor.
Haxhiu, i cili ishte kandidat në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kishte kërkuar anulimin e votave me postë të pranuara më 2 dhe 6 janar, duke pretenduar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë fletëvotime pas përfundimit të afatit ligjor. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votat me postë nga jashtë vendit duhet të pranohen nga KQZ-ja jo më vonë se një ditë pas ditës së zgjedhjeve, deri në orën 16:00. Megjithatë, KQZ-ja kishte marrë një vendim për zgjatjen e afateve për pranimin dhe numërimin e këtyre votave.
Po ashtu, PZAP ka refuzuar si të pasafatshme edhe ankesën e subjektit politik të Nenad Rashiqit, Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e cila kishte të bënte me mënyrën e administrimit të procesit të numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit në Novobërdë dhe Leposaviq.
Ndërkohë, si e palejuar është hedhur poshtë edhe ankesa e kandidatit të PDK-së, Jakup Nura, i cili kishte kërkuar që KQZ-ja të urdhërohej të rinumëronte të gjitha vendvotimet në komunën e Skenderajt.
PZAP ka konstatuar gjithashtu se ankesa e subjektit politik Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), e cila kishte të bënte me parregullsi gjatë votimit me postë dhe ishte drejtuar kundër Partisë Liberale Egjiptiane, është tërhequr nga vetë parashtruesi për arsye subjektive, para se të shqyrtohej.
