Muharremaj: Gjendja në Suharekë po stabilizohet pas vërshimeve

07.01.2026

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se një ditë pas vërshimeve që goditën disa zona të Kosovës, gjendja në këtë komunë është më e qetë dhe më e lehtë për t’u menaxhuar.

Në një paraqitje në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Muharremaj theksoi se situata aktualisht është e stabilizuar, por se fillimi i reshjeve të reja të shiut vazhdon të përbëjë shqetësim për institucionet lokale.

Sipas tij, ekipet emergjente janë në terren, ndërsa dëmet në Suharekë janë më të vogla krahasuar me disa komuna të tjera, si Malisheva dhe Drenasi.

Muharremaj bëri të ditur se së shpejti do të formohen komisionet komunale që do të dalin në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara, të cilat kryesisht janë evidentuar në amvisëri dhe në sektorin e bujqësisë.

Ai shtoi se aktualisht nuk ka probleme serioze në komunë, përveç disa fshatrave ku, për shkak të kushteve të krijuara, nuk është arritur të realizohen ndërhyrje dhe pastrime të plota.

Foto: Bali Muharremaj