Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave publikon raport për situatën e përmbytjeve në Kosovë
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka publikuar të martën raportin e situatës së vërshimeve në Kosovë për periudhën nga ora 12:00 deri në 15:00, duke bërë të ditur se gjendja paraqitet e menaxhueshme.
Sipas AME-së, në komunën e Gjakovës është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërkohë, vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara janë regjistruar në Fushë-Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gjakovë.
AME ka njoftuar se, bazuar në të dhënat nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit dhe Drejtoritë për Shërbime Publike dhe Emergjenca, situata mbetet nën kontroll, me raste të izoluara në disa komuna.
Në pjesën më të madhe të vendit, gjendja vlerësohet e qetë dhe stabile, ndërsa ekipet e mbrojtjes dhe shpëtimit vazhdojnë të jenë në terren dhe situata po monitorohet vazhdimisht.

Foto: AME