Pasaportat më të fuqishme në botë, e Kosovës ngritet për disa vende krahasuar me vitin e kaluar

24.12.2025

Indeksi i Pasaportave Henley, një nga renditjet më të njohura që matin fuqinë e pasaportave në botë, ka renditur Kosovën në vendin e 62, duke shënuar një përparim krahasuar me vitin 2024, kur ndodhej në vendin e 68-të.

Sipas këtij indeksi, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në 81 vende, duke përfshirë destinacione kryesore në Evropë dhe botë. Përmirësimi i pozitës së pasaportës kosovare reflekton rritjen e lehtësive diplomatike dhe marrëveshjeve të reja për udhëtime pa vizë.

Nga pasaportat e shteteve të rajonit, Kroacia shënon pozicionin më të lartë, duke u renditur e 7-ta në botë. Me 184 pikë, Kroacia ndodhet në të njëjtin grup me vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke ofruar një nivel shumë të lartë të lëvizshmërisë ndërkombëtare për qytetarët e saj.

Në krye të Indeksit Henley mbetet Singapori, me 193 pikë, i cili vazhdon të ruajë fronin për vite me radhë. Lidhjet e forta diplomatike dhe fuqia ekonomike e vendit u mundësojnë mbajtësve të pasaportave të tij të kenë qasje në pothuajse të gjithë botën pa vizë.

Ky përditësim i indeksit thekson rritjen graduale të fuqisë së pasaportës kosovare, duke i dhënë qytetarëve mundësi më të lehta për të udhëtuar ndërkombëtarisht.