Kurti: Uroj që pas 28 dhjetorit, opozita t’ia heq ‘masat’ Kosovës

19.12.2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e sigurisë në vend, duke folur për sulmet terroriste nga strukturat serbe si dhe për ndikimin e Bashkimit Evropian përmes masave të vendosura ndaj Kosovës.

Kurti ka kritikuar opozitën parlamentare, duke thënë se ajo ka penguar funksionimin institucional të shtetit përmes moskonstituimit të Kuvendit dhe mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke dëmtuar kështu interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës,” tha Kurti.

Ai ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj integrimit evropian, duke theksuar se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara në ruajtjen e vlerave demokratike, sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.

Kryeministri theksoi se institucionet e Kosovës nuk kanë qenë shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit, përkundrazi, sipas tij, de-eskalimi i situatës ka qenë meritë e drejtpërdrejtë e institucioneve kosovare.

“Institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit dhe de-eskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës,” u shpreh Kurti.

Ai përmendi dy sulme terroriste me pasoja të rënda ndaj institucioneve të Kosovës. Sulmi i parë ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa sulmi i dytë u regjistrua më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër–Lepenc në Varakë të Zubin Potokut, që sipas Kurtit kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike.

Kurti shtoi se për të dyja rastet tashmë janë ngritur aktakuza dhe se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe strukturave paramilitare në këto sulme.

“Për rastin e parë ekzistojnë dëshmitë që ka qenë plan serb për aneksimin e veriut, ndërsa provat për rastin e dytë konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb,” deklaroi Kryeministri në detyrë.