21 produkte nën llupën e Autoritetit të Konkurrencës për rritje çmimesh

18.12.2025

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka nisur një analizë të detajuar të çmimeve të 21 artikujve të shportës bazë të konsumatorit, pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale.

Inspektori hetues në këtë institucion, Egzon Berisha, ka bërë të ditur të mërkurën në emisionin “60 Minuta” në KTV se shumica e ankesave kanë të bëjnë me produktet bazë të konsumit ditor. Sipas tij, kjo situatë ka shtyrë Autoritetin e Konkurrencës që të ndërmarrë monitorim të drejtpërdrejtë të tregut dhe analiza më të thelluara, kryesisht në rrjetet e supermarketeve.

“Në Autoritetin e Konkurrencës kemi pranuar ankesa të ndryshme nga qytetarët për rritjen e çmimeve dhe shqetësime në lidhje me çmimet e produkteve, kryesisht të shportës bazike të konsumatorit. Në raport me këto ankesa, kemi filluar monitorimin e tregut dhe jemi në një analizë të thelluar të shportës bazike për 21 artikuj”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka sqaruar se në fokus të analizës janë produkte si vajrat ushqimore, buka, mielli, detergjentët dhe artikuj të tjerë që përbëjnë shportën bazë të konsumatorit. Aktualisht, Autoriteti ndodhet në fazën e mbledhjes, përpunimit dhe analizimit të të dhënave nga tregu.

Sipas Berishës, të dhënat paraprake tregojnë se shporta bazë e konsumatorit ka shënuar rritje prej rreth 5.5 për qind në periudhën nëntor 2024 – nëntor 2025.

Megjithatë, ai ka theksuar se deri më tani analizat nuk kanë nxjerrë asnjë rrjet tregtar në Kosovë me pozitë dominuese në treg. Berisha ka pranuar gjithashtu se edhe disa produkte vendore kanë pësuar rritje çmimesh, por kjo lidhet kryesisht me rritjen e kostove bazë të prodhimit.

“Është e vërtetë që ka produkte të prodhuara në Kosovë që kanë shënuar rritje çmimesh. Kjo ndoshta është pasojë e rritjes së kostove bazë, si rritja e pagave të fuqisë punëtore dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar ai.

Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar se pas përfundimit të analizave do të publikohen gjetjet përfundimtare, ndërsa qytetarët presin masa konkrete për të frenuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë.