13-vjeçari dyshohet se u dhunua nga një person që e njohu në TikTok, rasti zbulohet nga shkolla
Një rast tejet i rëndë që dyshohet të ketë të bëjë me dhunimin e një të mituri është raportuar në Ferizaj, ndërsa rasti tashmë është duke u trajtuar nga organet kompetente.
Sipas informacioneve të Sinjalit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 9 dhjetor 2025 në qytetin e Ferizajt. Viktimë e këtij rasti është një i mitur me inicialet A.K., ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar.
Rasti është bërë i ditur më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, kur Policia e Kosovës është njoftuar nga shkolla “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë se një nxënës i kësaj shkolle dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një person tjetër.
Burimet bëjnë të ditur se pas pranimit të informacionit janë njoftuar hetimet rajonale. Në prani të prindit të fëmijës, zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale dhe psikologut, është marrë deklarata e viktimës.
Sipas deklarimit, i mituri ka treguar se përmes rrjetit social TikTok ishte njohur me një person të panjohur për të. Më 9 dhjetor 2025, viktima kishte shkuar me dëshirë në Ferizaj, në banesën e personit të dyshuar, ku, sipas tij, pa dëshirën e tij janë kryer marrëdhënie seksuale.
Aktualisht, nuk ka të dhëna të sakta lidhur me identitetin e të dyshuarit. Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori për të Mitur, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Dhunim” dhe të vazhdohet me veprime të tjera hetimore.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.