Të veshur kuq e zi, të vegjlit e SHFMU “Ramë Bllaca” vizitojnë Bibliotekën e Qytetit

24.11.2025

Biblioteka e Qytetit të Suharekës “Hajdin Berisha” ka mirëpritur sot nxënësit e shkollës fillore “Ramë Bllaca”, në një aktivitet edukativ e kulturor që synon të afrojë fëmijët me botën e librit dhe leximit.

Takimi ka qenë i mbushur me buzëqeshje, kureshtje dhe atmosferë të ngrohtë, teksa nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e bibliotekës, mënyrën e përdorimit të librave, këndet tematike dhe rëndësinë që leximi ka në zhvillimin e tyre intelektual e emocional.

Përmes këtij aktiviteti, fëmijët u motivuan të shohin leximin jo vetëm si detyrë shkollore, por si një kënaqësi dhe portë drejt dijes.

Stafi i bibliotekës shprehu vlerësimin e lartë për interesimin e tyre dhe për mënyrën se si ata përfshihen në aktivitetet kulturore.

“Ne i falënderojmë mësimdhënësit për angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe nxënësit për energjinë e tyre pozitive,” thuhet në njoftimin e bibliotekës.

Biblioteka “Hajdin Berisha” thekson se do të vazhdojë me aktivitete të tilla, me qëllim që brezat e rinj të krijojnë lidhje të fortë me librin dhe kulturën e leximit.