Këngëtarja e njohur Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se këngëtarja dhe sopranoja e njohur, Adelina Thaçi Meta, i është bashkuar LDK-së, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për partinë dhe skenën politike në vend. “Mirë se vjen, Adelina!” – shkroi Abdixhiku, duke e prezantuar artisten si një prej figurave […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se këngëtarja dhe sopranoja e njohur, Adelina Thaçi Meta, i është bashkuar LDK-së, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për partinë dhe skenën politike në vend.
“Mirë se vjen, Adelina!” – shkroi Abdixhiku, duke e prezantuar artisten si një prej figurave më të respektuara të kulturës shqiptare dhe një profesioniste me kontribut të jashtëzakonshëm në art, edukim dhe përfaqësim ndërkombëtar.
Adelina Thaçi Meta, me mbi 20 vjet karrierë në muzikën klasike dhe moderne, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të skenës muzikore shqiptare. E diplomuar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ajo ka ndërtuar një profil të lartë profesional, duke u bërë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë, si dhe profesoreshë e solo-këndimit për 23 vite.
Në aspektin ndërkombëtar, Adelina ka shkëlqyer në role operistike dhe ka bashkëpunuar me dirigjentë të njohur, duke interpretuar në Kroaci, Itali, Gjermani, SHBA e vende të tjera. Një nga pikat kulmore të karrierës së saj është projekti i njohur “Dolce Suono”, i realizuar me tenorin me famë botërore José Carreras.
Krahas muzikës klasike, Adelina është e njohur edhe në skenën pop, me dhjetëra këngë të suksesshme, tri albume dhe çmime të shumta të para në festivale në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo është gjithashtu themeluese e Ansamblit Vokal “Zanat”, duke kontribuar në edukimin artistik të gjeneratave të reja.
Me aderimin e saj në LDK, Abdixhiku tha se partia fiton jo vetëm një artiste të madhe, por edhe një kuadër me profesionalizëm, integritet dhe humanizëm.
“Adelina sjell me vete vlera që na nderojnë. Ajo beson në misionin tonë për një Kosovë më të zhvilluar dhe me më shumë kulturë,” theksoi Abdixhiku, duke shtuar se dera e LDK-së mbetet e hapur për të gjithë që duan ndryshim dhe shohin vendin me më shumë potencial.
Adelina Thaçi Meta është e martuar me Bardhyl Metën dhe së bashku kanë dy vajza, Fionën dhe Melisën.