“Kemi me ju vra”, arrestohen tre persona pasi kërcënuan policinë gjatë shqiptimit të gjobës

21.11.2025

Një incident i rëndë është raportuar mbrëmjen e 20 nëntorit 2025, rreth orës 22:15, në fshatin Vrellë të komunës së Istogut, ku tre persona janë ndaluar dhe arrestuar pasi kanë kanosur dhe tentuar të sulmojnë zyrtarë policorë gjatë një kontrolli rutinë të trafikut.

Sipas raportit zyrtar, patrulla policore kishte ndaluar një automjet të tipit Volkswagen, të drejtuar nga i dyshuari N. B.(mashkull), për tejkalim shpejtësie. Gjatë verifikimit, atij iu shqiptua një tiketë kundërvajtëse. Mirëpo, situata u përshkallëzua pasi Belaj kërkoi me ngulm kthimin e dokumenteve, ndërsa policia e njoftoi se ato do t’i merrte pas përfundimit të procedurës së gjobës.

Në atë moment, i dyshuari filloi të ofendonte dhe kërcënonte policët me tone agresive, duke tentuar madje t’i godiste ata. Situata u rëndua edhe më shumë kur nga automjeti zbritën dy pasagjerët e tjerë, L.F.(mashkull) dhe G.P.(femër), të cilët i janë drejtuar policëve me kërcënime serioze, përfshirë edhe fjalët: “kemi me ju vra”.

Për shkak të rezistencës aktive dhe rrezikut të lartë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin sprej OC për neutralizimin e të dyshuarve. Të tre personat janë arrestuar dhe janë dërguar për tretman mjekësor në QKMF – Istog, si pasojë e efektit të sprejit.

Gjatë ndërhyrjes, një zyrtar policor ka pësuar lëndime në dorën e majtë dhe në disa gishta, për të cilat ka marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë, një zyrtar tjetër policor – edhe pse jashtë detyre – ka asistuar kolegët e tij në momentet kritike të arrestimit.

Prokurorja kompetente është njoftuar menjëherë për rastin dhe ka urdhëruar nisjen e procedurës për veprën penale “Kanosje”. Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit janë duke vazhduar.

Policia e Kosovës apelon qytetarët të respektojnë urdhrat e zyrtarëve policorë dhe të shmangin sjelljet që cenojnë sigurinë publike dhe rendin juridik./Sinjali/