Presidentja Osmani sqaron deklaratën për “900 banda kriminale”: Bëhet fjalë për raste, jo grupe të veçanta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar deklaratën e saj lidhur me shifrën “900 banda kriminale”, duke theksuar se numri i përmendur në intervistën për Politico i referohej rasteve të regjistruara, dhe jo grupeve të veçanta kriminale.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Në intervistën që kam dhënë për Politico janë bërë ndryshime të nevojshme. Ajo çfarë kam menduar ka qenë numri i rasteve, sepse bandit serb kanë qenë të involvuara në qindra raste, qoftë të keqpërdorimit të votave, presionit ndaj qytetarëve serb, futjes ilegale të armëve, dhunës ndaj qytetarëve, djegies së makinave,” ka deklaruar presidentja Osmani.
Ajo ka shtuar se mes rasteve të regjistruara përfshihen edhe sulme ndaj gazetarëve dhe forcave ndërkombëtare, duke përmendur veçanërisht 93 raste sulmesh ndaj KFOR-it.
“Kam menduar për rastet, ka qenë diçka e paqëllimshme. Jemi siguruar që të bëhet ndryshimi edhe tek versioni zyrtar,” tha Osmani, duke theksuar përpjekjen për sqarim dhe korrigjim të informacionit.
Deklarata e presidentes vjen pas keqkuptimeve që u krijuan në publik lidhur me përfshirjen e bandave kriminale serbe në aktivitetet ilegale në vend, dhe ajo ka kërkuar që informacioni i saktë të përdoret për të shmangur perceptime të gabuara.