Çmimi i lartë i energjisë elektrike – Investitorët e huaj më nuk vijnë në Kosovë

17.11.2025

Viti 2025 ka dalë të jetë një periudhë e humbur për Kosovën për shkak të zvarritjes në formimin e institucioneve, një situatë që ka shkaktuar dëme të shumta në pothuajse të gjitha aspektet e jetës.

Sipas ekspertëve, dëmi më i madh është ndjerë në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Situatën e rëndojnë edhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të cilat janë në fuqi tashmë tre vjet, përfshirë ndërprerjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka tërhequr vërejtjen se Kosova po humb hapin e zhvillimit ekonomik. “Të gjitha këto ngjarje nuk japin shpresë, shifni të dhënat zyrtare që tregojnë për investimet jashtë Kosovës e të mos flasin për ndonjë investitor të huaj…”, tha ai.

Problemet politike kanë bërë që mungesa e një Kuvendi funksional të ngrijë për muaj me radhë rreth 900 milionë euro nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian. Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thekson se Kosova nuk është më një destinacion i dëshirueshëm për investitorët e huaj, ndërsa çmimi i lartë i energjisë elektrike po detyron bizneset vendore të largohen jashtë vendit. “Fondet ndërkombëtare nuk po na vijnë shkaku i Kuvendit. Investitorët e huaj më nuk vijnë në Kosovë, shkak janë rrethanat politike, çmimi i lartë i energjisë elektrike…”, tha Shahini për RTV21.

Situatën e rëndon edhe inflacioni i lartë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin tetor tregojnë se shkalla e inflacionit ka arritur në 5.1%. Në këtë muaj, energjia elektrike u shtrenjtua për 20.3%, një rritje që po ndikon në çmimet e të gjitha produkteve esenciale, duke rënduar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.