Pagat e deputetëve, shpenzohen 1.9 milion euro gjatë bllokadës institucionale
Mbi 1.9 milion euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar gjatë këtij viti për pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të asistentëve të tyre, ndërsa shumica e seancave të mbajtura zgjatën vetëm për disa minuta.
Pavarësisht pagave të larta, punë efektive nuk është kryer, ndërsa institucionet e reja nuk janë formuar. Sipas ekspertëve, kjo situatë po rrezikon që vendi të hyjë në një bllokadë financiare.
Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro, pa përfshirë shtesat sipas përvojës së punës. Nga muaji prill deri në tetor, Kuvendi ka ndarë mbi 1.3 milion euro për pagat e ligjvënësve, ndërsa mbi 571 mijë euro janë shpenzuar për stafit mbështetës politik.
Legjislatura e nëntë ka hasur në bllokadë institucionale për muaj me radhë, derisa disa herë kanë dështuar tentativat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Tashmë, edhe pse Kuvendi është konstituuar dhe deputetët marrin pagat, punët nuk po kryhen.
Afrim Kasolli, njohës i politikës, ka theksuar se pasojat janë të ndjeshme jo vetëm brenda vendit, por edhe në plan ndërkombëtar. “Rreziku i parë është mosmiratimi i buxhetit të vendit, që mund të çojë në kolaps financiar. Kosova, së bashku me Bosnjën, është vendi i vetëm në rajon që nuk ka qasje në fondet e BE-së për planin e rritjes ekonomike,” tha ai.
Sipas Kasollit, sjelljet e papërgjegjshme të deputetëve rrezikojnë stabilitetin makrofinanciar të vendit. “Nëse nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje politike dhe hyjmë në vitin tjetër pa miratimin e buxhetit, pasojat për qytetarët do të jenë të frikshme dhe të paparashikueshme,” shtoi Kasolli./rtk/