Rënia e temperaturave, rrit ndotjen e ajrit në Kosovë

13.11.2025

Emetimi i dyoksidit të squfurit, i oksideve të azotit dhe i pluhurit në ajër është rritur për afro 26 për qind gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin e kaluar, sipas Raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Sipas raportit, të dhënat tregojnë:

  • Dyoksidi i squfurit: nga 10.495 tonë më 2023 në 11.713 tonë më 2024,
  • Oksidet e azotit: nga 11.384 tonë në 16.851 tonë,
  • Pluhuri: nga 4.742 tonë në 5.606 tonë.

Eksperti për çështje mjedisore, Besnik Shabiu, ka theksuar se burimi kryesor i përkeqësimit të cilësisë së ajrit janë termocentralet me thëngjill, ndërsa ndikim të shtuar ka pasur edhe përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje.

“E kemi parë që ministria dhe qeveria e kanë stimuluar ngrohjen me energji elektrike dhe ne e dimë që burimi kryesor të energjisë elektrike në vendin tonë e kemi prej termocentralit. Ngrohja që vjen nga energjia elektrike e rrit atje nevojën për të punuar edhe më tepër termocentralet dhe në këtë rast normal që rritet në sasi më të madhe edhe emitimi i gazeve të sulfurit, azotit dhe pluhurit”, – ka thënë Shabiu.

Ndërkaq, pulmologu Skënder Baca alarmon se ndotësit e ajrit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut dhe mund të shkaktojnë dëme të përhershme.

“Fillimisht dëmtohet epiteli bronkial, e më vonë, nëse depërton në nivele më të ultë në bronkiole edhe alveole, atëherë rrezikshmëria është më e madhe dhe dëmi është më i madh. Dëmi mund të jetë akut, i cili mund të sanohet pa pasoja, por mund të jetë edhe kronik, dhe atëherë dëmet janë të pakthyeshme. Ndikimi i këtyre kimikateve lë gjurmë të përjetshme edhe pasi ato nuk janë më prezente”, – sqaroi Baca.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian paralajmëron gjithashtu se cilësia e ajrit në Kosovë nuk ka shënuar përmirësim gjatë vitit të fundit, duke theksuar nevojën për masa urgjente për reduktimin e ndotjes dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.