Austri, kërcënoi gruan me thikë – arrestohet 47-vjeçari nga Kosova

11.11.2025

Një 47-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Vjenë, pasi dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij me thikë. Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar në lagjen Rudolfsheim-Fünfhaus.

Sipas policisë austriake, gruaja ka kërkuar ndihmë pasi është ndier e rrezikuar nga bashkëshorti i saj. Forcat policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe, pas kërkimeve, e kanë gjetur të dyshuarin në një bar pranë vendngjarjes.

Burri ndodhej në gjendje të rëndë të dehur, me 2.3 promil alkool në gjak, ndërsa është arrestuar pa rezistencë.

Me urdhër të policisë, ndaj 47-vjeçarit është lëshuar urdhër ndalimi dhe mbrojtjeje, i cili i ndalon t’i afrohet gruas së tij, ndërsa atij i është vendosur edhe ndalim i përkohshëm për mbajtje armësh.

Policia austriake ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar. Autoritetet theksojnë se dhuna në familje trajtohet si vepër penale serioze dhe çdo rast raportimi merret menjëherë në shqyrtim./Urgjent/