Përfundon verifikimi i votave në Suharekë, lëvizje e vogël nga rezultatet preliminare

10.11.2025

Para pak minutash ka përfunduar verifikimi i votave në Suharekë.

Ka përfunduar procesi i verifikimit të votave të rregullta në Qendrën e Numërimit në Suharekë, duke konfirmuar epërsinë e kandidatit të AAK-së, Bali Muharremaj, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Suharekës.

Sipas rezultateve përfundimtare të votave të rregullta, Muharremaj ka siguruar 55.31% të votave, që përkthehet në 11,578 vota të fituara nga qytetarët e Suharekës.

Në vendin e dytë renditet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dr. Ardian Shala, i cili ka marrë 44.69% të votave.

Procesi i numërimit është zhvilluar pa incidente dhe nën mbikëqyrjen e zyrtarëve komunalë dhe vëzhguesve të akredituar nga KQZ. Me këto rezultate, Muharremaj siguron një mandat të ri në krye të komunës, duke konfirmuar besimin e shumicës së qytetarëve për vazhdimin e udhëheqjes së tij.

Rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të verifikimeve të tjera ligjore dhe administrative.