KE: Asnjë përparim në lirinë e shprehjes në Kosovë – 70 raste kërcënimesh ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025

04.11.2025

Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën 2025, ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve në vend, duke theksuar se gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë përparim në këtë fushë.

Në raport thuhet se Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por “nuk ka bërë progres në lirinë e shprehjes”. Sipas Komisionit, peizazhi mediatik në vend mbetet pluralist, por përballet me probleme të theksuara që lidhen me mungesën e transparencës në pronësi dhe vështirësitë në qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Një prej çështjeve që Komisioni e cilëson më shqetësuese është rritja e numrit të rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Vetëm gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar 70 raste të sulmeve fizike, verbale dhe pengimeve të punës së gazetarëve, si dhe një rast i padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

Në raport theksohet gjithashtu se gjatë fushatës zgjedhore, disa zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë edhe Kryeministrin, kanë përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj mediave, gjë që sipas Komisionit “dëmton klimën e sigurisë dhe besimin publik në institucione”.

Një tjetër pikë e theksuar në raport është kriza e funksionimit të transmetuesit publik RTK, i cili përballet me vështirësi serioze financiare dhe strukturore, duke rrezikuar pavarësinë editoriale dhe rolin publik të tij.

Komisioni Evropian kërkon që Kosova të përforcojë kuadrin ligjor për mediat dhe ta harmonizojë atë me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe Direktivën kundër SLAPP-it, në mënyrë që të garantohet mbrojtja e gazetarëve dhe pavarësia e mediave.

Sipas raportit, përmirësimi i gjendjes së lirisë së shprehjes dhe medias mbetet ndër prioritetet kyçe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.