Numërohen votat me kusht për kandidatët për kryetar të komunës, prin Bali Muharremaj me 51.43%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar me publikimin e rezultateve të detajuara pas përfundimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale, të mbajtura më 12 tetor.
Deri më tani janë numëruar votat e rregullta, votat e diasporës dhe së fundi janë publikuar edhe rezultatet nga votat me kusht për kandidatët për kryetar komune – jo për kuvendet komunale.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ për komunën e Suharekës, votat me kusht konfirmojnë epërsinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka marrë shumicën e tyre:
- AAK – Suharekë: 51.43% (18 vota)
- LDK – Suharekë: 22.86% (8 vota)
- LVV – Suharekë: 17.14% (6 vota)
- PDK – Suharekë: 8.57% (3 vota)
Këto rezultate përforcojnë trendin e deritanishëm të fitores së AAK-së në këtë komunë dhe japin një pasqyrë më të qartë rreth mbështetjes që kanë kandidatët për kryetar komune.
Rikujtojmë se votat me kusht janë një formë e votimit e cila u mundëson qytetarëve të votojnë edhe në rastet kur ata nuk gjenden në listat përfundimtare të qendrës së votimit ku paraqiten. Arsyeja kryesore pse ndodh një gjë e tillë është se qytetari mund të ketë ndërruar vendbanimin, mund të jetë regjistruar vonë në listën zgjedhore ose të mos jetë përfshirë fare në listat e publikuara për shkak të ndonjë gabimi administrativ.
Në këto raste, qytetarët votojnë në mënyrë të veçantë – duke plotësuar formularët përkatës dhe duke vendosur votën në një zarf të veçantë. Votat me kusht verifikohen më pas nga KQZ, për të konfirmuar të drejtën e votimit dhe për të garantuar integritetin e procesit.
Procesi i numërimit të votave me kusht është i rëndësishëm për shkak se mund të ndikojë në rezultatet përfundimtare në garat e ngushta.
KQZ pritet të përmbyllë shpejt procesin e certifikimit të rezultateve përfundimtare, pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha votave, përfshirë edhe ato që janë në proces të ankesave apo rinumërimeve të mundshme.
SuharekaOnline do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për zhvillimet më të fundit nga ky proces.