Pensionistët mbi 80 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore tani mund të lajmërohen nga shtëpia
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur për opinionin publik se tashmë janë funksionalizuar ekipet mobile, të cilat vizitojnë në shtëpi pensionistët që nuk mund të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve për arsye shëndetësore.
Sipas njoftimit zyrtar, që nga gushti i vitit 2023, Ministria ka lansuar projektin e lajmërimit në shtëpi të pensionistëve, me qëllim të lehtësimit të procedurave për ata që kanë vështirësi fizike apo janë mbi moshën 80 vjeçare.
Verifikimi i rregullt i pensionistëve është i detyrueshëm çdo gjashtë (6) muaj, por në rastet kur kjo nuk është e mundur përmes prezencës në zyrë, ata ose familjarët e tyre mund të bëjnë kërkesë për vizitë në shtëpi.
Kërkesa mund të bëhet përmes telefonit ose e-mailit, duke ofruar të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e pamundësisë për paraqitje fizike. Pas pranimit të kërkesës, ekipet mobile të Ministrisë vizitojnë pensionistin në adresën e banimit për të realizuar procesin e verifikimit.
Nga Ministria njoftojnë se ekipet mobile janë aktive 7 ditë në javë, për të siguruar që të gjitha kërkesat të përmbushen me kohë dhe në mënyrë të rregullt, pa ndërprerje në pagesën e pensioneve për personat që e kanë të pamundur ta përmbushin këtë obligim vetë.
“Pensionistët apo anëtarët e tyre të familjes mund të dërgojnë kërkesat për lajmërim në këto adresa elektronike ose numra telefoni, varësisht nga rajoni:
Prishtinë – [email protected] |
038 213 268
Pejë – [email protected] |
039 431 217
Gjakovë – [email protected] |
039 326 999
Gjilan – [email protected] |
028 324 555
Ferizaj – [email protected] |
0290 320 403
Mitrovicë – [email protected] |
028 533 010
MFPT mbetet e përkushtuar që pensionistët të mos përballen me vështirësi gjatë procesit të lajmërimit dhe që shërbimet tona të jenë sa më afër qytetarëve.” thuhet në njoftimin e ministrisë.