Shkëlqimi i Almir Kryeziut, fitore bindëse e Ballkanit ndaj Dukagjinit!
FC Ballkani vazhdon serinë pozitive në Albi Mall Superligë, duke shënuar një tjetër fitore të rëndësishme para tifozëve në stadiumin e Suharekës.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë, skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi mposhti Dukagjinin me rezultat të pastër 2-0.
Heroi i kësaj përballjeje ishte mesfushori Almir Kryeziu, i cili realizoi të dy golat për Ballkanin në pjesën e dytë të takimit, duke vulosur kështu një paraqitje fantastike dhe duke u bërë njeriu i ndeshjes.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për kampionët në fuqi në Suharekë dhe një tjetër tregues i formës së mirë që po kalon skuadra. Në katër takimet si vendas këtë sezon, Ballkani ka arritur tre fitore, duke dëshmuar se “stadiumi i qytetit” vazhdon të jetë një fortesë e vërtetë.
Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të ketë një tjetër sfidë në shtëpi, ku do të përballet me ekipin e Gjilanit. Me formën aktuale dhe moralin e lartë, verdhezinjtë synojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve dhe të qëndrojnë në krye të tabelës.