360 kg mish dhe bombola gazi të padeklaruara ndalohen në kufi, ndërhynë dogana

17.10.2025

Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore.

Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet, ndonëse personi përgjegjës kishte deklaruar se nuk posedon mallra për t’u deklaruar. Gjatë kontrollit janë zbuluar mallra të fshehura në automjet, konkretisht:

  • 360 kilogramë mish qafe derri (pa kocka)
  • 96 bombola gazi për përdorim shtëpiak, me përmbajtje 190 gram secila

Asnjë dokument apo faturë për këto mallra nuk është paraqitur nga personi përgjegjës. Për rrjedhojë, malli është ndaluar përkohësisht, ndërsa është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore ndaj personit, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK).

Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për forcimin e kontrollit kufitar, parandalimin e kontrabandës, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike dhe shëndetësore të vendit.

Ky rast shënon një tjetër sukses të autoriteteve doganore në luftën kundër hyrjes së mallrave të paligjshme dhe të pasigurta në tregun kosovar.