Slloveni, bëhet obligative bonusi i Krishtlindjeve, të gjithë punëtorët do të marrin 639 euro deri më 18 dhjetor

17.10.2025

Qeveria sllovene ka miratuar një vendim të rëndësishëm që parashikon bonus të detyrueshëm Krishtlindjesh për të gjithë punonjësit në vend, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Vendimi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri Matej Arçon pas mbledhjes së qeverisë, i cili konfirmoi se bonusi do të paguhet çdo vit, duke filluar nga ky dhjetor.

Sipas Arçon, bonusi i Krishtlindjeve për këtë vit do të jetë 639 euro dhe duhet të paguhet deri më 18 dhjetor 2025. Ai shtoi se në vitin e parë, kjo shumë nuk do të tatohet, që do të thotë se nuk do të ndikojë në llogaritjen e transfertave sociale, shkruan urgjent.com.

“Kjo është një mënyrë për të lehtësuar barrën fiskale dhe për të mbështetur punonjësit në prag të festave,” theksoi zëvendëskryeministri.

Në sektorin publik, bonusi do të jetë 638 euro, ndërsa Ministria e Financave pritet të përgatisë propozimin final për mënyrën e shpërndarjes së tij.

Qeveria ka paraparë një fleksibilitet të përkohshëm për kompanitë që përballen me probleme financiare. Ato do të mund të vonojnë pagesën e bonusit të Krishtlindjeve, por jo më vonë se 31 marsi i vitit të ardhshëm.

Në raste ekstreme të mungesës së likuiditetit, kompanitë do të mund të paguajnë vetëm një të tetën e pagës minimale (rreth 160 euro), me kusht që të mos shpërndajnë dividentë apo bonuse për menaxhmentin deri në përmbushjen e detyrimit ndaj punonjësve.

Ky vendim, sipas Arçon, është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të forcuar mirëqenien sociale dhe për të siguruar standard më të drejtë për punëtorët në prag të festave të fundvitit.