Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Ndërprerjet e energjisë po dëmtojnë rëndë bizneset në Kosovë

09.10.2025

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka ngritur alarmin për situatën shqetësuese të furnizimit me energji elektrike në vend, duke theksuar se reduktimet e shpeshta dhe të paparalajmëruara të energjisë po ndikojnë seriozisht në aktivitetin ekonomik.

Sipas një reagimi zyrtar, ndërprerjet po ndodhin në një kohë kur bizneset tashmë përballen me rritjen e çmimit të energjisë për 16.1% dhe pasiguritë e shkaktuara nga procesi i liberalizimit të tregut të energjisë.

“Bizneset anëtare nga të gjitha komunat e Kosovës kanë raportuar dhjetëra raste të ndërprerjeve të energjisë pa orar dhe paralajmërim, duke dëmtuar rëndë prodhimin, kontratat eksportuese dhe vendet e punës”, thuhet në njoftimin e DhTIK.

Veçanërisht problematike paraqitet gjendja për bizneset që veprojnë në tregun e lirë, të cilat, përkundër tarifave më të larta, nuk po marrin furnizim të rregullt dhe të sigurt, çka, sipas Dhomës, përbën shkelje të parimeve bazë të tregut të hapur.

DhTIK gjithashtu rikujton se garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji ka qenë një nga shqetësimet kryesore të ngritura ndaj mënyrës së implementimit të liberalizimit nga ZRRE-ja.

Kërkesat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë:

  • Ndërmarrja e masave urgjente për rikthimin e stabilitetit energjetik nga ZRRE, KOSTT, KEDS, KESCO dhe Ministria e Ekonomisë.
  • Publikimi i një plani transparent të furnizimit për periudhën në vijim.
  • Shqyrtimi i mekanizmave kompensues për bizneset që kanë pësuar dëme si pasojë e ndërprerjeve.

DhTIK paralajmëron se në mungesë të veprimeve konkrete dhe të shpejta nga institucionet përkatëse, pasojat ekonomike mund të thellohen, duke rrezikuar funksionimin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat në vend.