91% e mësimdhënësve në Kosovë thonë se ndjehen të sigurtë në vendin e punës

08.10.2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se janë publikuar rezultatet e para nga Hulumtimi Ndërkombëtar për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie – TALIS 2024, nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë studim ndërkombëtar, që përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota dhe që synon të mbledhë të dhëna mbi mësimdhënien, mësimnxënien dhe kushtet e punës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

Në Kosovë, në këtë cikël morën pjesë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta, ndërsa anketa në terren është zhvilluar gjatë periudhës 15 mars – 22 prill 2024, përmes platformës online.

TALIS është hulumtimi më i madh ndërkombëtar që fokusohet në përvojat dhe perceptimet e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, duke ofruar të dhëna të krahasueshme për mjediset e mësimdhënies dhe zhvillimin profesional në arsim.

Gjetjet kryesore për Kosovën:

Mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç, pothuajse e njëjtë me mesataren e OECD-së (45). Rreth 60% janë femra, ndërsa 9% janë nën 30 vjeç.

97% e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në ndonjë formë të trajnimit profesional gjatë 12 muajve të fundit, një përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (91%). Megjithatë, vetëm 28% kanë ndjekur trajnime që përfshijnë përdorimin e teknologjisë digjitale në mësimdhënie.

97% e mësimdhënësve në Kosovë thonë se u mësojnë nxënësve si të përdorin informacionin e fituar dhe 90% për zgjidhjen e problemeve reale – shifra më të larta se mesatarja e OECD-së.

82% e mësimdhënësve shkëmbejnë rregullisht materiale mësimore me kolegët, ndërsa 64% diskutojnë mbi performancën e nxënësve, tregues i një klime bashkëpunuese pozitive.

96% e drejtorëve marrin pjesë drejtpërdrejt në proceset e menaxhimit të mësimdhënies, shumë më tepër se mesatarja e OECD-së (76%), megjithatë vetëm 48% përfshihen në planifikimin strategjik afatgjatë.

85% e mësimdhënësve ndihen të përmbushur në punën e tyre dhe 77% mendojnë se profesioni i mësimdhënësit vlerësohet nga shoqëria, përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).

Rezultatet e TALIS 2024 ofrojnë një pasqyrë të vlefshme për përmirësimin e politikave të zhvillimit profesional, përfshirjes digjitale, forcimit të rolit të drejtorëve, si dhe rritjes së statusit të profesionit të mësimdhënësit në shoqëri.

Tutje, në rezultatet e këtij hulumtimi bëhet e ditur se në Kosovë, 91% e mësimdhënësve pajtohen se në shkollën e tyre mësimdhënësit ndihen të sigurt në punë, krahasuar me 87% në OECD. Po ashtu, 89% besojnë se drejtori i shkollës i trajton të gjithë mësimdhënësit me respekt.

Këto të dhëna tregojnë një klimë të mirë besimi dhe respekti ndërmjet stafit arsimor.