“Ligje që ekzistojnë, jetë që harrohen” – Vështirësitë që përballen personat me aftësi të kufizuara në Suharekë

30.09.2025

Personat me aftësi të kufizuara përballen me një sërë sfidash që prekin çdo aspekt të jetës së tyre, e që iu duhet përkujdesje e veçant.

Ndër nevojat më të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të menjëhershme janë: Akses në infrastrukturë publike, arsim gjithëpërfshirës, akses në shëndetësi të specializuar, punësim dhe mbështetje ekonomike, mbështetje sociale dhe psikologjike, të drejta dhe përfaqësim dinjitoz, teknologji ndihmëse.

Në Kosovë, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në jetën e përditshme, pavarësisht ligjeve dhe strategjive që në letër parashikojnë mbështetje të plotë për këtë kategori. Zbatimi i këtyre politikave në praktikë mbetet i mangët, ndërsa nevojat bazë të mijëra qytetarëve shpesh mbeten pa përmbushur.

Një nga problemet më të dukshme lidhet me qasjen në infrastrukturën publike. Pjesa dërrmuese e institucioneve shtetërore, shkollave, spitaleve dhe hapësirave publike në Kosovë nuk janë të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara fizike. Mungesa e rampave, ashensorëve funksionalë dhe rrugëve të aksesueshme i privon ata nga pjesëmarrja e barabartë në shoqëri dhe i mban të izoluar.

Fusha e arsimit gjithashtu përbën një sfidë të madhe. Ndërsa ka përpjekje për të përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat publike, mungojnë mësues të trajnuar për të punuar me ta, ashtu siç mungojnë ndihmësit personalë dhe materialet mësimore të përshtatura. Si rezultat, shumë fëmijë mbeten jashtë sistemit arsimor ose përfundojnë duke mos marrë arsimin që u takon me të drejtë.

Në një epokë ku teknologjia po ndikon në çdo aspekt të jetës, është e domosdoshme që Kosova të investojë më shumë në teknologji ndihmëse për këtë kategori. Pajisje të avancuara si lexuesit zanorë për të verbërit, aplikacionet për komunikim për personat me aftësi të kufizuara në të folur, apo sistemet e navigimit për të lëvizur në qytet duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë, e jo vetëm për ata që kanë mundësi financiare.

Nga të dhënat që posedon SuharekaOnline, bëhet e ditur se në Komunën e Suharekës janë gjithsej 837 persona me aftësi të kufizuara, prej tyre janë 100 fëmijë nga mosha 0-18 vjeç dhe 737 të tjerë janë të moshës 18-65 vjeç. Duke analizuar statistikat, bëhet e ditur se numri i personave të kësaj kategorie ka shënuar rritje që nga fillimi i vitit 2025.

Si në tërë Kosovën ashtu edhe në Komunën e Suharekës, personat me aftësi të kufizuara kanë vështirësi të shumta në përditshmërinë e tyre, ata përballen me shumë gjëra për të cilat në shumicën e rasteve u duhet ndihmë nga personat e tjerë apo kujdestari i tyre.

SuharekaOnline para pesë vitesh kishte raportuar për vështirësitë e personave të kësaj kategorie, për të cilët prej aso kohe e deri më tani nuk është se ka ndryshime të mëdha.

Së pari duke filluar nga objekti i Komunës së Suharekës, personat me aftësi të kufizuar mund të hyjnë vetëm në katin e parë të komunës, por që nuk mund të vazhdojnë lartë për në katin e dytë aty ku edhe ndodhet zyra e kryetarit, sepse “Shkallët janë të shumta e mundësit zero.”

Ndërsa, në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë së fundmi është investuar për këtë kategori.

Nga burime të SuharekaOnline bëhet e ditur se DKA-Suharekë ka investuar rreth 9 mijë euro për rregullimin e shkallëve dhe vendosjen e një lifti i cili ndihmon këtë kategori që të kenë çasje brenda objektit të shkollës.

Në Komunën e Suharekës edhe në rrugët e qytetit nuk është se ka infrastruktrë të mirëfillt për personat me aftësi të kufizuara, ani pse kohëve të fundit është menduar edhe për këtë kategori. Në sheshin e qytetit, në të cilin është investuar së fundmi, janë vendosur edhe kubëzat e veçanta të cilat iu ndihmojnë personave të verbër, por që në sezonin e verës, kur fluksi i njerëzve është më i madh, të njejtat pengohen me tavolinat dhe karriget e kafiterive përreth, pavarësisht vërejtjeve nga inspektorati nuk gjobitet pothuajse askush.

Poashtu, personave të kësaj kategorie u dedikohen edhe disa vendparkime në disa pjesë të qytetit, por që janë të pakta.

E drejta për jetë dinjitoze dhe e barabartë për personat me aftësi të kufizuara nuk është luks, por një e drejtë themelore njerëzore.

Institucionet e Kosovës kanë për detyrë të kalojnë nga fjalët në vepra, dhe të ndërtojnë një sistem që nuk i sheh këta persona si barrë, por si qytetarë me potencial dhe të drejtë të jenë të barabartë me të tjerët në çdo aspekt të jetës.

Gazetare, Eurolinda Zenelaj