Fitore historike për Bashkimin në debutimin evropian
Bashkimi i Prizrenit ka shkruar histori sonte në palestrën “Sezai Surroi”, duke shënuar një fitore të madhe në debutimin e tij në arenën evropiane.
Përballë gjigantit polak të basketbollit, Anwil Wloclawek, prizrenasit treguan forcë dhe karakter, duke triumfuar me rezultatin 80:75.
Atmosfera në palestrën e mbushur me tifozë ishte elektrizuese, duke i dhënë shtysë skuadrës vendase që dominoi pjesën më të madhe të lojës. Çereku i parë u mbyll bindshëm në favor të Bashkimit, 24:16, ndërsa miqtë nga Polonia reaguan në periodën e dytë, duke e fituar atë 21:15 dhe duke ngushtuar diferencën në vetëm dy pikë, 39:37, në fund të pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë, prizrenasit ruajtën qetësinë dhe kontrollin e lojës, duke e menaxhuar epërsinë me vendosmëri. Përkundër përpjekjeve të Anwil Wloclawek për t’u rikthyer në rezultat, Bashkimi mbeti i pathyeshëm deri në fund, duke e mbyllur sfidën me një triumf që mbetet historik për klubin dhe basketbollin prizrenas.