KKZ Suharekë mban ligjëratë në Gjimnazin “Jeta e Re” për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje

23.09.2025

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Suharekë ka mbajtur dje një ligjëratë me maturantët e Gjimnazit “Jeta e Re”, ku në qendër të diskutimit ishte rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në procesin zgjedhor.

Gjatë takimit u theksua se zëri i të rinjve është vendimtar për të ardhmen e vendit, pasi çdo votë ka peshën e saj dhe ndikon drejtpërdrejt në drejtimin që merr shoqëria. Përfaqësuesit e KKZ-së theksuan se veçanërisht vota e të rinjve sjell energji, ide të reja dhe vizion për zhvillim.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i gjeneratës së re për rolin e tyre aktiv në demokraci dhe për nxitjen e kulturës së pjesëmarrjes qytetare që nga moshat e hershme të votimit.