Muharremaj: Bashkë do ta realizojmë fitoren
Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka përcjellë një mesazh falënderimi dhe pozitiviteti për qytetarët dhe mbështetësit e tij, në prag të zgjedhjeve lokale.
Ai ka theksuar se sa më shumë që afrohet dita e zgjedhjeve, aq më i madh bëhet presioni dhe fyerjet, por sipas tij ekipi i tij ka zgjedhur një rrugë tjetër – atë të mirënjohjes dhe frymës pozitive.
“E di, që nuk është e lehtë. Sepse sa më afër datës së zgjedhjeve rritet edhe presioni edhe fyerja. Por ne kemi zgjedhë rrugë tjetër: atë të falënderimeve dhe ndjenjës pozitive,” është shprehur Muharremaj.
Ai theksoi se qytetarët ndjekin vetëm rrugën e demokracisë, e cila, sipas tij, përmes punës dhe argumenteve sjell rezultate konkrete.
“Prandaj e ndjej me ju falenderu secilin prej jush. Pa dallim, kudo ku po punoni me angazhimin më të madh. Ju po besoni se fitorja është afër, prandaj e keni energjinë dhe vullnetin, që ta transmetoni tek të tjerët këtë fuqi të bashkimit,” u shpreh kandidati për kryetar të Suharekës.
Duke u ndalur tek e ardhmja, Muharremaj tha se nesërmja i pret me shumë punë, duke shprehur bindjen e tij se suksesi do të arrihet së bashku me qytetarët.
“Dhe, nuk e kam asnjë dyshim që bashkë do ta realizojmë fitoren,” përfundoi ai.