ASK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 4.58% në tremujorin e dytë të vitit 2025
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e fundit për Bruto Produktin Vendor (BPV), sipas të cilave ekonomia e vendit ka shënuar një rritje reale prej 4.58% në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, rritja është mbështetur kryesisht nga sektorë kyç të ekonomisë. Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë shënuar rritjen më të madhe me 8.79%, pasuar nga aktivitetet profesionale, teknike dhe administrative me 4.27%, ndërtimtaria me 4.15%, industria përpunuese me 3.34%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 3.62%, bujqësia, pylltaria dhe peshkimi me 2.98%, informacioni dhe komunikimi me 2.38% si dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.44%.
Në anën tjetër, një rënie e theksuar është regjistruar tek industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave, me një tkurrje prej -6.79%.
Nga ana e shpenzimeve, rritjen e BPV-së e kanë nxitur eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 10.42%, importi i mallrave dhe shërbimeve me 13.23%, formimi i bruto kapitalit me 10.99% si dhe konsumi final i ekonomive familjare dhe institucioneve jofitimprurëse me 3.91%.
