KFOR organizon takim me ambasadorët e vendeve kontribuuese, gjenerali Barduani përmbyll mandatin
Sot, në selinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, në Kampin “Film City” në Prishtinë, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Enrico Barduani, ka pritur ambasadorët dhe shefat e misioneve nga 33 shtetet kontribuuese në këtë mision.
Takimi, i cili shënoi edhe të fundit në mandatin e gjeneralit Barduani, shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të rishikuar gjendjen e sigurisë në Kosovë, për të prezantuar aktivitetet e vazhdueshme si dhe për të diskutuar sfidat që pritet të vijnë në periudhën e ardhshme.
Komandanti i KFOR-it ka theksuar rolin vendimtar të misionit në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes rajonale.
Në fund të fjalës së tij, gjenerali Barduani ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë aleatët dhe partnerët, duke vlerësuar kontributin e tyre jetik në arritjen e objektivave të misionit.