Edon Zhegrova ndryshon destinacion, arrin marrëveshje me Marseillen

29.08.2025

Ylli i futbollit kosovar, Edon Zhegrova, duket se ka marrë një hap vendimtar për të ardhmen e tij sportive.

Sipas raportimeve të mediumit francez Footmercato, sulmuesi anësor i Lille ka arritur marrëveshje të plotë me Olympique Marseille për një kontratë pesëvjeçare, që do ta mbajë atë të lidhur me klubin francez deri në qershor të vitit 2030.

Zhegrova, i cili së fundmi ka marrë edhe pasaportën shqiptare, ishte përfolur gjerësisht për një transferim te Juventusi, që shihej si destinacioni më i mundshëm. Megjithatë, ai i ka dhënë përparësi gjigantit francez, duke e zgjedhur Marseillen për të vazhduar karrierën.

“U arrit marrëveshja e plotë midis Olympique Marseille dhe Edon Zhegrovës. Kontratë deri më qershor 2030. Zhegrova zgjodhi OM pavarësisht interesit nga Juventusi,” ka shkruar gazetari i njohur Santi Aouna në rrjetet sociale.

Tashmë, mbetet që Marseille të arrijë një marrëveshje me Lille për të finalizuar transferimin e 26-vjeçarit, i cili mban numrin 23 në fanellën e klubit francez.

Ky zhvillim e vendos Zhegrovën në qendër të vëmendjes së merkatos evropiane, duke treguar se anësori kosovar është një nga lojtarët më të kërkuar të momentit.