Edon Zhegrova mungon ndaj Zvicrës, Foda: Është hendikep për Kosovën
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar se nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Edon Zhegrovës për ndeshjen kundër Zvicrës.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Foda tha se sulmuesi kosovar nuk do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e muajit shtator. Arsyeja lidhet me procedurat e transferimit të tij te skuadra e Juventusit, të cilat ende nuk janë finalizuar plotësisht.
“Zhegrova, për shkak të procedurave të transferimit të tij në Juventus, nuk do të jetë pjesë e dy ndeshjeve të shtatorit”, deklaroi Foda.
Ai pranoi se mungesa e yllit të Kosovës përbën një hendikep për ekipin, por theksoi se në këtë situatë duhet të ketë mirëkuptim për vendimin e lojtarit.
Ndeshja kundër Zvicrës është një nga më të rëndësishmet për Kosovën në kuadër të ciklit kualifikues, dhe mungesa e Zhegrovës pritet të ndjehet në repartin ofensiv të “Dardanëve”.