Juventusi në mision për Edon Zhegrovën, rikthimin në formë pas lëndimit

23.09.2025

Edon Zhegrova, ylli i përfaqësueses së Kosovës, u transferua pak javë më parë te gjiganti italian Juventus, duke i dhënë fund aventurës në Francë me skuadrën e Lille.

Futbollisti prishtinas është rikthyer në fushë pas një pauze të gjatë prej nëntë muajsh, pasi ishte lënduar në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka bërë tashmë paraqitjet e para me fanellën bardhezi. Zhegrova luajti disa minuta në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, ku arriti të japë impakt pozitiv, ndërsa në ndeshjen e kampionatit ndaj Veronës kontribuoi më pak.

Sipas portalit italian Tuttomercatoweb, trajneri Igor Tudor synon që këtë javë të punojë në mënyrë të veçantë me sulmuesin kosovar për ta rikthyer atë në formën e tij më të mirë. “Mision tjetër i Tudorit është ai që ta rikthejë në formë Zhegrovën. Numri 11 ‘Bianconer’ posedon kualitete të larta për të pasur ndikim në ndeshje, si gjatë lojës duke u zhvilluar apo edhe që nga fillimi si startues”, shkruan media italiane.

Zhegrova, që më parë ka luajtur edhe për Baselin, synon të sigurojë minuta të rregullta me Juventusin dhe të tregojë vlerat e tij në një kampionat të nivelit më të lartë. Megjithëse konkurrenca në repartin ofensiv të skuadrës torineze është e madhe, aftësitë teknike dhe shpejtësia e tij e bëjnë një alternativë serioze për trajnerin Tudor.

Ky rikthim gradual pritet të jetë një mundësi e artë për Zhegrovën që të dëshmojë potencialin e tij dhe të bëhet një pikë referimi në sulmin bardhezi.