Përkrahje e re nga BE-ja: Kosova përfiton 6.87 milionë euro për Reformën e Administratës Publike

28.08.2025

Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Kosovën, duke disbursuar dy këste të fundit në vlerë prej 6.87 milionë euro në kuadër të programit IPA 2016 për Reformën e Administratës Publike.

Ky disbursim shënon përmbylljen e një kontrate që në total ka sjellë në Kosovë një mbështetje financiare prej 22 milionë euro.

Këto fonde janë një tjetër dëshmi e përkushtimit të BE-së për të ndihmuar Kosovën në forcimin e institucioneve dhe modernizimin e shërbimeve publike. Reforma e Administratës Publike është një proces kyç për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë.

Njoftimi u bë publik nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili theksoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje financiare. Përveç këtij disbursimi, ai përmendi se vetëm javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka disburuar një tjetër shumë prej 7.5 milionë euro në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023). Kjo mbështetje shtesë dëshmon angazhimin e BE-së për të ndihmuar Kosovën të përballojë sfidat energjetike.