Mashtrimi me kriptovaluta, një kosovare u premtoi 24 austriakëve pasuri nga 250 euro, por u vodhi mbi 100,000 euro
“Kthejini 250 euro në 100 mijë euro!” Kjo ishte përralla me të cilën një bandë mashtruesish me qendër në Prishtinë joshi dhjetëra viktima, duke u vjedhur atyre kursimet.
Foto: Ilustrim
Të hënën, një 31-vjeçare kosovare, e cila ishte pjesë e këtij mashtrimi, u paraqit para Gjykatës Rajonale të Vjenës, ku rrëfeu rolin e saj në skemën piramidale.
Sipas prokurorit publik, gjithçka fillonte me një telefonatë. Mashtruesit përdornin teknika të sofistikuara, duke u prezantuar si punonjës të kompanive serioze si Microsoft ose si tregtarë të suksesshëm. Ata synonin të bindnin viktimat që të investonin një shumë fillestare prej 250 eurosh, duke u premtuar se ajo do të shndërrohej në një pasuri marramendëse brenda pak ditësh, falë tregtimit të kriptovalutave, shkruan urgjent.com.
Banda, e cila kishte ngritur një qendër thirrjesh me 150 punonjës në Prishtinë, krijoi një platformë të rreme online që dukej tejet e besueshme. Ajo bënte reklama të gjera për të joshur sa më shumë njerëz. Viktima e këtij mashtrimi ishin si austriakë, ashtu edhe gjermanë. Vetëm në Austri, 24 persona u mashtruan me mbi 100,000 euro, ndërsa në Gjermani, numri i viktimave kalonte 100, me një dëm total prej 570,000 eurosh. Megjithatë, gjykata në Vjenë trajtoi vetëm rastet e mashtrimit në Austri.
Përmes një softueri të manipuluar, investitorët shihnin fitime fiktive në llogaritë e tyre, gjë që i inkurajonte ata të investonin edhe më shumë para. Por, në momentin që dikush kërkonte tërheqjen e fondeve, llogaria e tij “digjej” dhe paratë zhdukeshin, duke kaluar te llogaritë e kompanive fiktive që i shërbenin mashtrimit.
31-vjeçarja kosovare, e cila kishte rol aktiv si “tregtare” në këtë skemë, u arrestua në Kosovë në maj të vitit 2025 dhe u ekstradua në Austri. Ajo dëshmoi se merrte një pagë fikse prej 2,000 deri në 3,000 euro në muaj, plus një komision për çdo investim të suksesshëm. Ajo pohoi se në fillim nuk kishte dyshuar për natyrën mashtruese të biznesit, por më pas presioni ishte shtuar. “Më vjen shumë keq,” tha ajo para gjykatës.
Vendimi i gjykatës ishte: 14 muaj burg, njëri prej të cilëve pa kusht. Ky vendim është tashmë i formës së prerë.