Tre të vdekur nga aksidentet rrugore në Kosovë brenda 24 orëve
Tre persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit si pasojë e aksidenteve të ndara trafiku të ndodhura në Pejë, Malishevë dhe Gjilan.
Mëngjesin e 15 gushtit, rreth orës 09:35, në rrugën “Adrian Krasniqi” në Pejë, një person me aftësi të kufizuara, i cili po lëvizte me karrocë, është goditur nga një kamion që drejtohej nga një mashkull kosovar. Sipas policisë, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së shoferit. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.
Po të njëjtën ditë, rreth orës 13:39, një aksident tjetër ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, ku janë përplasur dy vetura me targa lokale. Si pasojë e goditjes, një grua ka humbur jetën, ndërsa gjashtë persona të tjerë (pesë femra dhe një mashkull) kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë trajtuar nga ekipet mjekësore, ndërsa viktima është dërguar për autopsi në IML me urdhër të prokurorit.
Ndërkohë, më 14 gusht në orën 15:40, në fshatin Lladovë të Gjilanit, një këmbësor mashkull kosovar është goditur nga një veturë që drejtohej nga një femër. Hetimet e para tregojnë se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së shoferes. Fillimisht, viktima ishte dërguar për trajtim në QKUK, por më 15 gusht ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Të gjitha rastet janë duke u hetuar nga autoritetet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave.