Tragjedi në Itali: 34-vjeçari shqiptar shpëtohet nga pishina, por humb jetën në spital
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin turistik Jesolo të Italisë, ku një i ri shqiptar 34-vjeçar fillimisht u shpëtua nga mbytja në pishinën e një hoteli, por më pas humbi jetën në spital.
Alarmi u dha natën mes së dielës dhe së hënës, rreth orës 23:00, në hotelin Ermitage, kur stafi dhe klientët vunë re një burrë që po luftonte në ujë, sikur ishte sëmurë papritur. Menjëherë u thirrën shërbimet e emergjencës dhe brenda pak minutash oficerët e një patrulle policie mbërritën në vendngjarje, raporton urgjent.com.
Policët arritën ta nxirrnin shqiptarin nga pishina dhe i ofruan ndihmën e parë. Njëri prej tyre, i certifikuar për kryerjen e CPR-së dhe përdorimin e defibrilatorit, i riktheu zemrën dhe frymëmarrjen. Burri u transportua menjëherë në spitalin San Donà di Piave, ku fillimisht u duk se gjendja e tij ishte stabilizuar.
Megjithatë, gjatë natës gjendja shëndetësore e 34-vjeçarit u përkeqësua ndjeshëm. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai humbi jetën të hënën në mëngjes.
Hetimet e para tregojnë se viktima mund të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit ose substancave narkotike, gjë që dyshohet se shkaktoi humbjen e vetëdijes në ujë. Po ashtu, është vënë re se i riu nuk figuroi në regjistrin e mysafirëve të hotelit dhe as si pjesë e stafit, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si kishte hyrë në objekt.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Venedikut, e cila ia ka besuar hetimin stacionit të policisë së Jesolos.
Autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.