Në pesë muaj, qytetarët e Kosovës morën mbi një miliard euro kredi në banka

09.08.2025

Qytetarët e Kosovës kanë marrë 1.2 miliardë euro kredi në bankat vendore vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025, duke shënuar një rritje prej 200 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në fund të muajit maj, totali i kredive aktive ka arritur në 6.3 miliardë euro, nga 5.2 miliardë euro sa ishte në maj të vitit 2024, që përfaqëson një rritje vjetore prej 20.9 për qind, raporton urjgnet.com.

Njohësit e ekonomisë e shohin këtë trend si sinjal shqetësues. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thekson se rritja e kredive për ekonomitë familjare nuk është mesazh pozitiv, pasi tregon vështirësitë që kanë familjet për të përballuar shpenzimet dhe detyrimet financiare. Sipas tij, shumë prej tyre detyrohen të marrin kredi të reja ose të riprogramojnë ato ekzistuese, për të ulur këstet dhe për t’i shtrirë pagesat në afate më të gjata.

Rafuna nënvizon gjithashtu se normat e interesit në Kosovë mbeten të larta, me një mesatare prej 6.0 për qind për kreditë e reja, pavarësisht një rënieje të lehtë krahasuar me majin e vitit 2024. Ai apelon që ekzekutivi dhe BQK të ndërmarrin masa për uljen e këtyre normave, duke theksuar nevojën për reforma në sundimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë juridike, në mënyrë që kontestet bankë–biznes të zgjidhen në kohë më të shkurtër.

Në anën tjetër, depozitat bankare kanë shënuar gjithashtu rritje të ndjeshme. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar 480.9 milionë euro depozita të reja, mbi 133 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Totali i depozitave në fund të majit ka arritur në 6.9 miliardë euro, duke u rritur me 856.2 milionë euro ose 14.1 për qind në raport me majin e vitit 2024.

Sipas Rafunës, rritja e depozitave lidhet kryesisht me faktin që diaspora dhe qytetarët po investojnë më pak në patundshmëri, duke zgjedhur të mbajnë kursimet në banka. Ky trend vihet re sidomos pas rënies së blerjeve të pronave nga diaspora, krahasuar me vitet e kaluara.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, e sheh rritjen e njëkohshme të kredive dhe depozitave si shenjë të përshkallëzimit të gjendjes ekonomike. Ai vlerëson se qytetarët dhe bizneset po i drejtohen kredive për të mbuluar nevoja afatshkurtra, për shkak të pamundësisë për të siguruar qarkullim të mjaftueshëm financiar. Kadrijaj shton se, në shumë raste, kreditë po bëhen ngulfatëse si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset.

Sa i përket depozitave, ai thekson se pjesa më e madhe vjen nga bashkatdhetarët, të cilët ose i depozitojnë mjetet e tyre në Kosovë, ose i përdorin për blerje të patundshmërive. Megjithatë, ai paralajmëron se situata ekonomike në vend po rëndohet për shkak të mungesës së funksionimit institucional, duke theksuar se aktualisht Kosova nuk ka qeveri të mandatuar dhe as parlament aktiv.