Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë alarmon për kamatat e larta të kredive, bizneset në vështirësi
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ka shprehur shqetësim të thellë për kamatat e larta të kredive që bankat komerciale po aplikojnë ndaj bizneseve në vend. Në një komunikatë zyrtare, DHTIK ka theksuar se kjo praktikë po pengon zhvillimin e bizneseve dhe po dëmton ekonominë e vendit.
“Megjithëse edhe në raportet e BQK-së kreditë e këqija vazhdojnë të jenë shumë të ulëta, bankat mbeten dorë shtrënguese sa i përket dhënies së kredive me norma më të favorshme të interesit. Kjo qasje po u shkakton probleme të mëdha bizneseve tona, të cilat përkundër shumë sfidave, po përpiqen të zgjerojnë investimet e tyre”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së.
Sipas organizatës, shumë biznese anëtare kanë raportuar për norma të larta interesi dhe administrim joefikas të kredive. Mungesa e likuiditetit po vështirëson mbështetjen e prodhimit dhe eksporteve. DHTIK ka vënë në dukje se vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të ulur normat e interesit, duke ofruar kushte më të favorshme për bizneset. Madje, disa shtete po ofrojnë stimuj për të tërhequr bizneset nga Kosova, duke ofruar kamata dukshëm më të ulëta.
“Mungesa e likuiditetit është jetike për të mbështetur prodhimin dhe eksportet. Derisa në vendet e rajonit shtetet kanë ndërmarrë veprime të ndryshme, ku sipas të dhënave që i kemi mbledhur, normat e interesit në kredi janë shumë më të ulëta. Madje ka shtete, të cilat kanë marrë iniciativa për të inkurajuar bizneset edhe nga Kosova që të bartin prodhimin, duke ju ofruar kushte shumë më të favorshme, përfshirë edhe kamata shumë më të ulëta sesa ato që i ofron sektori bankar në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë.