Mbi 5 mijë familje përfitojnë nga skema “Qeveria për Familjet” – Të paktën një i punësuar në çdo familje

07.08.2025

Skema qeveritare “Qeveria për Familjet”, e iniciuar në kuadër të programit 1.8 për mbështetjen e familjeve pa të punësuar, ka rezultuar me përfitime konkrete për mijëra qytetarë.

Deri më tani, 5,163 familje që më parë nuk kishin asnjë anëtar të punësuar, tashmë kanë së paku një anëtar të punësuar falë kësaj skeme.

Përmes këtij programi, Qeveria e Kosovës ofron subvencionim të 70% të pagës për një periudhë prej gjashtë muajsh, me qëllim të inkurajimit të punësimit dhe integrimit të familjeve në tregun e punës.

Skema është e hapur dhe e vazhdueshme, dhe qytetarët e interesuar mund të aplikojnë duke u regjistruar në zyrat e punësimit në komunën përkatëse. Kjo nismë synon jo vetëm të përmirësojë mirëqenien e familjeve në nevojë, por edhe të fuqizojë pjesëmarrjen në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik në nivel lokal.