Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, Osmani: Kosova do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve

04.08.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë.

Osmani i cilësoi këto thirrje si të papranueshme dhe theksoi se ato cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane.

“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, u shpreh presidentja.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e saj për heshtjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë në Shkup, të cilët, sipas saj, nuk kanë reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes, duke krijuar hapësirë për retorika që rrezikojnë harmoninë ndëretnike dhe bashkëjetesën.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, theksoi Osmani.

Presidentja vuri në dukje se sporti duhet të jetë një mjet bashkimi, e jo platformë për ideologji të errëta që nxisin urrejtje dhe përçajnë komunitetet.

Në përfundim të reagimit të saj, Osmani u bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe personave përgjegjës për këto thirrje, duke kërkuar dënimin e çdo forme të gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e parimeve të tolerancës e bashkëjetesës.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, përfundoi presidentja Vjosa Osmani.